Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se nevojitet kohë shtesë për bisedime mes subjekteve politike, duke theksuar se konstituimi i institucioneve duhet të ndodhë pasi të arrihet një dakordim për çështjen e presidentit.
Kurti ka deklaruar se përvojat e kaluara kanë treguar se formimi i institucioneve pa zgjidhjen e çështjes së presidentit ka çuar në kriza të reja politike dhe në shpërndarje të Kuvendit.
“Na duhet të marrim kohë shtesë për bisedime. Vetëm atëherë kur të kemi arritur dakordimin për çështjen e presidentit do të procedojmë me konstituimin e institucioneve të tjera”, ka thënë Kurti.
“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për çështjen e presidentit praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur rastet e kaluara të zgjedhjeve të përsëritura, duke theksuar se vendi ka shkuar disa herë në zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër dhe se, sipas tij, është e nevojshme të shmanget një proces i ri zgjedhor i panevojshëm.
Kurti ka shtuar se pas arritjes së një marrëveshjeje do të caktohet seanca konstituive, duke thënë se duhet të bëhet çdo përpjekje për të parandaluar zgjedhjet e reja, të cilat i ka cilësuar të dëmshme për ekonominë dhe buxhetin e shtetit.
Ai u ka bërë thirrje për bisedime edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza e të Aleancës, Ardian Gjini. Ka shtuar se bisedimet me LDK-në do të vazhdojnë.