Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se kriza institucionale në Kosovë lidhet drejtpërdrejt me çështjen e presidentit dhe mungesën e gatishmërisë së opozitës për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen.
Rrustemi, në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se zgjedhja e presidentit kërkon së paku 80 vota në kuti dhe se opozita po refuzon çdo formë bashkëpunimi me Vetëvendosjen për këtë çështje.
Ai, mes tjerash, u shpreh se konstituimi i Kuvendit pa një dakordim paraprak për presidentin nuk ka kuptim dhe do të çonte drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme, të cilat, sipas tij, janë të panevojshme.
“Kjo flet më shumë për opozitën dhe hezitimin për të bashkëpunuar për cështjen e presidentit. Ne duhet ta themi qartë se në Kosovë që nga shkurti i këtij viti ka një problem që po destabilizon gjithë jetën institucionale në vend dhe kjo ka të bëjë me çështjen e presidentit. Me domosdoshmërinë e 80 votave së paku në kuti dhe me refuzimin e opozitës për bashkëpunim me Vetëvendosjen në cilindo version e kapacitet. Konstituimi i Kuvendi në një rrethanë të tillë pa një dakordim për presidentin është pa asnjë dyshim e pakuptimtë dhe është hapje e le të themi drejtë zgjedhjeve të reja të parakohshme e të panevojshme për bindjen tonë. Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje por për dakordim për sa i përket çështjes së presidentit dhe pastaj pa asnjë dyshim do të konstituohet Kuvendi e do të ecim tutje. Por, refuzimi për të bashkëpunuar dhe refuzimi për tu dakorduar për presidentin, konstituimi do të ishte vetëm një hapë për datën e zgjedhjeve”, u shpreh Rrustemi.