Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas caktimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit për nesër, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të radhës të rendit kushtetues nga Lëvizja Vetëvendosje.
PDK-ja, nëpërmjet një kumtese, ka shprehur shqetësimin për mosrespektimin e afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, njofton Dukagjini.
Sipas PDK-së, Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se ky afat përfundon sonte.
“Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë: Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore. Ky afat përfundon sonte. Në vend të respektimit të këtij detyrimi kushtetues, shumica parlamentare zgjodhi ta shpërfillë vendimin e Gjykatës dhe, përmes deputetit më të vjetër si kryesues i seancës solemne, e caktoi vazhdimin e seancës për nesër, pasi afati të ketë skaduar”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas PDK-së, në vend të respektimit të këtij detyrimi kushtetues, shumica parlamentare vendosi ta shpërfillë aktgjykimin e Gjykatës, duke caktuar vazhdimin e seancës për nesër përmes deputetit më të vjetër që kryeson seancën solemne.
PDK e kundërshton fuqishëm këtë vendim, duke vlerësuar se ai përbën jo vetëm shkelje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor.
“Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton fuqishëm këtë veprim, i cili nuk është vetëm shkelje e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor. Askush nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe aq më pak ata që kanë detyrimin e parë ta mbrojnë dhe ta zbatojnë atë”.
Mes tjerash, PDK-ja, akuzon kryeministrin në detyrë Albin Kurti se ka vendosur “vullnetin partiak mbi Kushtetutën e Republikës dhe interesin partiak mbi interesin shtetëror”.
“Për fat të keq, edhe një herë po dëshmohet se Albin Kurti e ka vendosur vullnetin partiak mbi Kushtetutën e Republikës dhe interesin partiak mbi interesin shtetëror. Është për keqardhje që një subjekt politik, i cili ka marrë besim nga qytetarët për t’i krijuar institucionet e reja, po e mban peng Republikën e Kosovës për shkak të kalkulimeve të veta politike, duke e zvarritur krijimin e tyre dhe duke prodhuar pasiguri kushtetuese”.