Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas caktimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit për nesër.
Nëpërmjet një reagimi, LDK-ja i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që ta thërrasë sonte vazhdimin e seancës konstituive, në mënyrë që procesi të përmbyllet brenda afatit të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, njofton Dukagjini.
LDK-ja vlerëson se mosrespektimi i afatit kushtetues rrezikon ta vendosë Republikën e Kosovës në një fazë të paqartësisë kushtetuese dhe mungesës së plotë të legjitimitetit institucional, me pasoja të rënda për funksionimin e rregullt të institucioneve dhe sigurinë juridike në vend.
Sipas LDK-së, qëndrimi i saj ka qenë i qartë dhe konsistent gjatë gjithë procesit: Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Mes tjerash, LDK-ja rikujton se zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese është obligim kushtetues dhe se respektimi i tyre është në interes të funksionimit demokratik të Republikës së Kosovës.
“Prandaj, LDK i bën thirrje subjektit të parë parlamentar që, në përmbushje të përgjegjësive që i takojnë në këtë proces, të mundësojë mbajtjen e seancës së konstituimit sonte dhe përmbylljen e këtij procesi brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Mosthirrja e vazhdimit të seancës sonte, brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, u pamundëson deputetëve ushtrimin e mandatit të tyre në përmbushje të obligimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, ashtu siç është përcaktuar me aktgjykimin e muajit qershor 2025”, thuhet në reagimin e LDK-së.