Irani ka deklaruar të dielën se marrëveshja me Omanin për përcaktimin e rrugëve të reja të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit është në fazën përfundimtare, por ka përsëritur se ngushtica nuk do të rihapet derisa Shtetet e Bashkuara të plotësojnë edhe disa kushte të tjera.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se marrëveshja mes Iranit dhe Omanit për ngushticën është “në fazat përfundimtare”. Sipas tij, dokumenti do të përcaktojë rrugët e reja që do të përdoren nga anijet pasi SHBA-ja të përmbushë kushtet e kërkuara dhe të rihapet ngushtica.
Një zyrtar amerikan i tha Reuters të premten se marrëveshja mes Iranit dhe Omanit është afër përfundimit dhe mund të çojë së shpejti në rihapjen e kësaj rruge detare, përmes së cilës para bllokimit kalonte rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Megjithatë, Araghchi theksoi se Irani dhe SHBA-ja nuk janë aktualisht në negociata të drejtpërdrejta. Sipas tij, Teherani nuk do të nisë bisedime me Uashingtonin për sa kohë që SHBA-ja shkel marrëveshjen e përkohshme të arritur në qershor. Mesazhet mes dy vendeve po përcillen përmes ndërmjetësuesve.
Irani kërkon kompensim dhe heqjen e sanksioneve
Sipas Araghchit, rihapja e Ngushticës së Hormuzit varet nga plotësimi i disa kushteve, përfshirë kompensimin e Iranit nga SHBA-ja për dëmet e shkaktuara nga sulmet amerikane.
Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohammad Baqer Zolqadr, renditi gjithashtu si kushte ndalimin e kërcënimeve amerikane ndaj Iranit, përfundimin e sulmeve ndaj Iranit dhe aleatëve të tij në Liban, Palestinë, Jemen dhe Irak, heqjen e bllokadës dhe sanksioneve ndaj Iranit, si dhe lirimin e aseteve iraniane të ngrira.
SHBA-ja kishte thënë më herët se do të hiqte bllokadën ndaj porteve iraniane pasi të arrihej një marrëveshje për rikthimin e lundrimit tregtar pa pengesa në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, situata mbetet e ndërlikuar. Emiratet e Bashkuara Arabe deklaruan të shtunën se Irani kishte sulmuar një anije të lidhur me kompaninë shtetërore të naftës të Emirateve. Teherani nuk ka komentuar menjëherë këtë pretendim.