Fetoshi: Kërcënimi i Vuçiqit me Ibrin, pjesë e strategjisë hibride të Serbisë ndaj Kosovës

Arben Fetoshi, drejtor i Instituti për Studime të Luftës Hibride 'Octopus' (Foto nga intervista në FIVE në RTV Dukagjini)

Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, i ka cilësuar si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës.

Në një shkrim të publikuar në Facebook, Fetoshi e ka cilësuar deklaratën e Vuçiqit si “kërcënim me Ibrin” dhe ka argumentuar se përdorimi i ujit si instrument presioni është pjesë e asaj që ai e quan strategji hibride të Serbisë ndaj Kosovës.

Sipas Fetoshit, deklarata e Vuçiqit se “do ta ndryshojmë rrjedhën e Ibrit, pastaj të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët”, e ndërlidhur me pretendimet për “keqtrajtim” të serbëve, paraqet një përshkallëzim të retorikës politike të Beogradit.

Fetoshi ka ngritur edhe pretendime për një lidhje të mundshme mes kësaj deklarate dhe sulmit të vitit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit. Ai ka shkruar se kërcënimi i fundit, sipas tij, “konfirmon në mënyrë indirekte përgjegjësinë për sabotazhin”, megjithëse kjo është një tezë e paraqitur nga Fetoshi dhe jo një përgjegjësi e konfirmuar nga një vendim gjyqësor.

Në analizën e tij, Fetoshi e trajton ujin si një potencialisht instrument strategjik, duke theksuar rëndësinë e sistemit të Ujmanit për furnizimin me ujë dhe energji në Kosovë.

Ai ka përmendur edhe Konventën e UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Rrjedhave Ujore Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare, si dhe vlerësime të mëhershme mbi rëndësinë strategjike të liqenit të Ujmanit.

Sipas tij, çdo ndërhyrje në rrjedhën e Ibrit do të mund të kishte pasoja për furnizimin me ujë të disa komunave, përfshirë veriun e Kosovës, Mitrovicën, Vushtrrinë, Prishtinën, Drenasin, Fushë Kosovën dhe Obiliqin, si dhe për prodhimin e energjisë.

Fetoshi ka cituar edhe deklarime të mëhershme nga Serbia lidhur me mundësinë teknike të devijimit të lumit Ibër. Ai përmend ekspertin Lubisha Mijaçiq, i cili e ka cilësuar këtë mundësi si një “kërcënim real”, ndërsa në anën tjetër ka sjellë qëndrimin e profesorit spanjoll Miguel Borja Bernabe-Crespo, i cili e ka minimizuar rrezikun, duke iu referuar detyrimeve ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Në pjesën tjetër të shkrimit, drejtori i Institutit Octopus argumenton se retorika e Beogradit për “mbrojtjen e serbëve” po përdoret për të legjitimuar presionin ndaj Kosovës.

Sipas tij, ndryshimi i qëndrimit të Vuçiqit nga deklaratat e mëhershme se ekziston një ide për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, por se ai ishte kundër saj, në deklaratën e fundit se po mblidhen inxhinierë për të shqyrtuar mundësinë e realizimit, tregon për një ndryshim të komunikimit strategjik të Serbisë.

Fetoshi e lidh këtë zhvillim edhe me deklarata të zyrtarëve të tjerë serbë, si dhe me atë që ai e përshkruan si “heroizim” të figurave të dënuara për krime lufte.

Në përfundim, Fetoshi e cilëson kërcënimin për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit si pjesë të një strategjie më të gjerë, e cila, sipas tij, synon destabilizimin e Kosovës përmes mjeteve që nuk përfshijnë domosdoshmërisht ndërhyrje ushtarake.

“Nuk është e domosdoshme ndërhyrja ushtarake, derisa qëllimet minuese mund të arrihen përmes ujit, energjisë, sabotimit, spiunazhit dhe dezinformimit”, ka shkruar Fetoshi.

Ai e përmbyll analizën me vlerësimin se “kërcënimi i Ibrit është leva strategjike, ndërsa Ujmani kërcënim ndaj sigurisë kombëtare”.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika