Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, pas tensioneve të krijuara në Kuvend, ka bërë thirrje për kthimin e vendit në binarët kushtetues dhe konstituimin e Kuvendit.
Çitaku tha se pas refuzimit të kërkesës së tyre për thirrjen e seancës, PDK-ja do të bëjë sërish kërkesë për seancë konstituive pas 48 orësh.
“Edhe sot e kemi një thirrje për Albin Kurtin, ta kthejë vendin në binarët kushtetues, ta konstituojmë Kuvendin dhe t’u lejojmë deputetëve që ta ushtrojnë mandatin e tyre. Ta lëmë Republikën të funksionojë. Ne nuk po kërkojmë marrëveshje për PDK-në, po kërkojmë funksionalizimin e shtetit”, deklaroi Çitaku.
Ajo theksoi se aktiviteti i PDK-së nuk do të kufizohet vetëm brenda Kuvendit, duke paralajmëruar se kërkesa për seancë do të përsëritet pas 48 orësh.
“Ne sërish do të bëjmë kërkesë për seancë pas 48 orësh dhe aktiviteti ynë nuk do të kufizohet më vetëm brenda këtij institucioni”, tha ajo.
Çitaku u shpreh se qytetarët kanë nevojë për institucione funksionale dhe jo për tensione të reja.
“Kosova nuk ka nevojë për tensione të reja. Qytetarët kanë nevojë për institucione. Kurti dhe LVV-ja duhet të reflektojnë. Republika është mbi secilin prej nesh. Kuvendi duhet t’u kthehet qytetarëve”, u shpreh deputetja e PDK-së.
Çitaku tha se veprimet e PDK-së nuk kanë qenë “show” apo aksion politik, por, sipas saj, përmbushje e detyrimit kushtetues dhe ligjor për konstituimin e Kuvendit.
“Nuk jemi as për show. Ky nuk ka qenë aksion politik. Ne i jemi përgjigjur detyrimit tonë kushtetues dhe ligjor për ta konstituuar Kuvendin”, deklaroi ajo.
Çitaku bëri të ditur se PDK-ja do t’i drejtohet zyrtarisht me shkrim kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, për thirrjen e seancës pas 48 orësh.