Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë shprehur optimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Pas takimit të tyre, Kurti tha se diskutimi është zhvilluar në atmosferë konstruktive dhe se ka parë vullnet nga LDK-ja për të gjetur një zgjidhje që do t’i mundësonte vendit zgjedhjen e presidentit pa shkuar në zgjedhje të reja.
“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive edhe e pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’ia sjellim një president të ri që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, që duhet të sigurojmë funksionim demokratik të shtetit dhe që për këtë duhet të ndërtojmë mirëbesim”, tha Kurti.
Sipas tij, gjatë takimit janë shqyrtuar kriteret dhe profili i presidentit apo presidentes së ardhshme nga disa këndvështrime, me theks te vlerat, meritat dhe kontributi në shoqëri.
Në anën tjetër, Abdixhiku tha se LDK-ja do të jetë pjesë e përfaqësimit institucional dhe faktor në përpjekjet për tejkalimin e krizës kushtetuese dhe krijimin e institucioneve.
Ai bëri të ditur se në takim palët janë pajtuar në parim për profilin që duhet të ketë presidenti i ardhshëm.
“U pajtuam në parim për këtë profil, se si duhet të duket presidenti ose presidentja e ardhshme. Një president që e do Republikën, e mbron Republikën, ushtron demokracinë në mënyrë të mjaftueshme dhe një figurë që ushtron unitetin politik ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta e Kosovës”, deklaroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së theksoi se partia e tij nuk dëshiron një president partiak, por një figurë të respektuar që do ta përfaqësonte unitetin politik dhe do ta ushtronte me dinjitet funksionin e kreut të shtetit.
“Pra, nuk duam një president partiak, por një figurë e cila është e respektuar dhe ushtron me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror”, tha ai.
Abdixhiku tha se Kosova ka figura që mund ta përmbushin këtë profil, por se para se të dalin me emra konkretë do të zhvillohen konsultime të brendshme në subjektet politike dhe konsultime me shoqërinë.
Sipas tij, çështja është e ndjeshme dhe kërkon diskutim të mëtejshëm para se palët të propozojnë kandidatë konkretë.
Ndërkohë, Kurti tha se vullneti i shprehur për arritjen e një marrëveshjeje duhet të jetë arsye për optimizëm.
“Vullneti i qartë për të arritur marrëveshje për president duhet të na bëjë optimistë”, u shpreh Kurti.
Abdixhiku, nga ana tjetër, deklaroi se LDK-ja nuk po kërkon poste apo përfitime politike në këmbim të zgjidhjes së krizës, por stabilitet institucional.
“LDK-ja nuk kërkon asgjë mbrapa, domethënë vetëm stabilitet institucional, në mënyrë që Kosova të ketë një lloj qetësie të kërkuar e të mundshme”, tha Abdixhiku.
Takimi Kurti-Abdixhiku ishte i katërti ndërmjet LVV-së dhe LDK-së në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje politike për tejkalimin e ngërçit institucional.
Palët pritet të zhvillojnë konsultime të brendshme para takimeve të ardhshme, ndërsa emrat konkretë për presidentin e ardhshëm nuk janë bërë ende publikë.