Në të përditshmen amerikane të krahut të djathtë Washington Examiner është publikuar një tekst i autorit izraelit Jose Leva Alvarez, në të cilin ai thekson se Shtetet e Bashkuara duhet të njohin pavarësinë e Republika Srpska-s nga Bosnja dhe Hercegovina.
Teksti, i titulluar “Lëreni Bosnjën të shpërbëhet: Pse Donald Trump duhet ta njohë Republikën Srpska të pavarur”, përmban një sërë pretendimesh kontroverse lidhur me të ardhmen e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe marrëdhëniet mes komuniteteve etnike në Ballkan.
Alvarez pretendon se Marrëveshja e Dejtonit nuk ka sjellë një paqe të qëndrueshme, por vetëm ka “ngrirë” vijat e frontit të vitit 1995. Sipas tij, rreth 1.1 milion serbë janë “të bllokuar brenda një shteti artificial”.
Ai tenton të argumentoj se modeli i një shteti multietnik në Ballkan nuk ka funksionuar dhe se politika amerikane duhet të ndryshojë qasje, duke kaluar drejt njohjes së pavarësisë së Republika Srpska-s.
Autori pretendon gjithashtu se fakti që Republika Srpska nuk është shtet i pavarur ka shkaktuar, sipas tij, një “krizë demografike”, duke pohuar se rreth 620 mijë njerëz janë larguar nga entiteti gjatë viteve të fundit.
Në tekst, Alvarez flet edhe për ndikimin e Kinës dhe Rusisë në Republika Srpska. Ai thotë se Kina ka investuar më shumë se 3 miliardë dollarë në infrastrukturën e këtij entiteti që nga viti 2010, ndërsa Rusia ka forcuar ndikimin e saj përmes sektorit energjetik.
Një pjesë të veçantë të shkrimit autori ia kushton Kosovës, duke e përdorur atë si shembull për të argumentuar se si Washingtoni duhet të veprojë edhe ndaj Republika Srpska-s.
“Washingtoni, në vitin 2008, përmes mbështetjes për Prishtinën, ndihmoi me sukses në krijimin e një shteti funksional”, shkruan Alvarez, duke e krahasuar situatën e Kosovës me atë të Republika Srpska-s.
Ai pretendon se Republika Srpska ka institucione të veçanta, shumicë demografike dhe rëndësi gjeografike, ndërsa sugjeron që entiteti të fitojë sovranitet dhe të bëhet partner i Shteteve të Bashkuara në një nivel të ngjashëm me Kosovën.
Në planin e tij, Alvarez propozon që Washingtoni të ndjekë një strategji të përbashkët ndaj Banjallukës dhe Prishtinës, duke përfshirë njohjen e ndërsjellë, marrëveshje për sigurinë kufitare dhe largimin e operativëve rusë të inteligjencës.
Ai propozon gjithashtu përdorimin e mjeteve ekonomike amerikane për të reduktuar ndikimin kinez në infrastrukturën e Republika Srpska-s, si dhe vendosjen e një “qendre logjistike” amerikane në Banjallukë.
Ai i bën thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të mos ia lërë sigurinë e Ballkanit “ndërmjetësve lokalë” dhe të ushtrojë presion për të parandaluar forcimin e ndikimit të Rusisë dhe aktorëve të tjerë në rajon.
Pretendimet dhe propozimet e Alvarez janë të paraqitura si qëndrime të autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin zyrtar të Shteteve të Bashkuara apo të institucioneve amerikane.