Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Sh.B., i cili u shpall fajtor për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”.
Sipas aktgjykimit të Departamentit të Përgjithshëm-Divizionit Penal, Sh.B. është dënuar me dënim unik prej gjashtë vjetësh burgim, si dhe me gjobë prej 2 mijë eurosh.
Sipas gjykatës, i akuzuari, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kishte tentuar ta mashtronte të dëmtuarin A.H., duke i ofruar për shitje një pronë në Prishtinë në vlerë prej 800 mijë eurosh.
Për këtë pronë, e cila ishte nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Sh.B. dyshohet se kishte falsifikuar paraprakisht dokumentet përmes akteve noteriale.
Rasti ishte zbuluar gjatë verifikimit nga noterja dhe dëshmitarja V.A., ku ishte konstatuar se autorizimi në emër të të akuzuarit Sh.B. ishte i falsifikuar.
Si rrjedhojë, vepra penale e mashtrimit kishte mbetur në tentativë.
Përveç dënimit me burgim dhe gjobë, gjykata ka obliguar të akuzuarin që të paguajë edhe 200 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 20 euro në emër të Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu konfiskimin e përhershëm të dokumentit të falsifikuar.
Sh.B. do të mbrohet në liri deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Ndërkaq, i dëmtuari A.H., për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.