Apeli prish vendimin e Themelores, urdhëron zhvillimin e gjykimit për korrupsion ndaj Damkës dhe Kamberajt

Gjykata e Apelit e ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte rrëzuar aktakuzën për korrupsion ndaj Fikrim Damkës- zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik dhe Besim Kamberajt- ish-ushtrues i detyrës së sekretarit në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Apeli ka udhëruar zhvillimin e procesit gjyqësor ndaj tyre.

Kështu bëhet e ditur përmes një komunikate për medie nga Apeli, ku thuhet se kjo Gjykatë urdhëroi që procedura penale ndaj Damkës dhe Kamberajt, të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PS.nr.36/2025, të datës 16.02.2026, dhe vendosur që çështja penale ndaj të pandehurve F.D. dhe B.K., për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, paragrafi 2, nën paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK, të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Me këtë vendim, Apeli konfirmon aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj dy të pandehurve për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” në bashkëkryerje.

“Kolegji gjykues ka vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale, duke konstatuar shkelje esenciale sipas nenit 384 të Kodit të Procedurës Penale. Gjithashtu, ka konstatuar se, bazuar në provat e çështjes në këtë fazë të procedurës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen dhe se provat janë mbledhur e siguruar në përputhje me ligjin. Andaj, Gjykata e Apelit ka vendosur që procedura penale ndaj të njëjtëve të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Themelorja kishte aprovuar kërkesat e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe për hudhjen e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, duke konstatuar ndër të tjera nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Vendimi në shkallë të parë ishte marrë në fazën e kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës, nga gjykatësi Kujtim Krasniqi.

Në seancën fillestare më 23 shtator 2025, dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 korrik 2025 ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj ish-ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, tani Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik, dhe ish-ushtruesit të detyrës së sekretarit në këtë ministri, Besim Kamberaj, të cilët ngarkohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e plotë, në të cilën në pikën e parë thuhet se Fikrim Damka dhe Besim Kamberaj nga data 16 gusht 2021 e deri më 24 mars 2022 në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë- Damka në pozitën e ministrit të Zhvillimit Rajonal, kurse i pandehuri Kamberaj në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të kësaj Ministrie, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy OJQ-të: “Germin” dhe “Caritasi Zviceran” dhe shkeljes së të drejtave të personave tjerë, respektivisht Organizatave të Shoqërisë Civile të regjistruara në Kosovë.

Sipas aktakuzës, gjatë muajit qershor dhe korrik të vitit 2021 në Prishtinë, Damka dhe Kamberaj duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Rregullores për përgjegjësitë administrative në Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrive dhe Rregullores së Ministrisë së Financave mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, tejkalojnë kompetencat e tyre ligjore duke lidhur kështu marrëveshje me “Caritasin Zviceran” në kundërshtim me përgjegjësit dhe kompetencat të kësaj ministrie, respektivisht duke marrë përgjegjësitë që bien në kompetencë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrisë për Komunitete dhe Kthim (MKK).

Aty thuhet se fillimisht takohen me përfaqësuesin e autorizuar të OJQ-së “Caritasi Zviceran” Gerard Schaumberger dhe negociojnë mundësinë e lidhjes së një bashkëpunimi me të.

Pastaj, aktakuza thotë se i akuzuari Kamberaj në komunikim përmes e-maili me Kreshnik Bashën- përfaqësues i “Caritasit Zviceran”, në dijeni të të pandehurit Fikrim Damka, hartojnë dy koncept-dokumentet për dy projekte “Ndikimi mjedisor i të rinjve -YENI” dhe “Veprimi Komunal për Ri integrim dhe diasporë -MARDI”.

Në këtë koncept- dokument, sipas aktakuzës, thuhet se projektit MARDI pa pasur thirrje e përfshinë OJQ “Germin” në kundërshtim me Rregulloren e MF-së, duke i dhënë një rol kyç në realizimin e këtij projekti dhe duke e trajtuar si partnere të OJQ “Caritasi Zviceran”, pa pasur ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me të.

Më pas, thuhet se Damka dhe Kamberi, pasi hartojnë dy koncept-dokumentet për projektet e lartpërmendura dhe draftin e Memorandumit të Bashkëpunimit, më 16 gusht 2021, nënshkruajnë Memorandumin në fjalë në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombetare dhe Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësit, duke krijuar implikime të drejtpërdrejta buxhetore, kosto shtesë buxhetore jashtë çdo linje të miratuar buxhetore në momentin e lidhjes se Memorandumit.

Kurse, thuhet se më 5 maj 2022, i pandehuri Damka nxjerr vendim për ndarjen e mjeteve nga buxheti i MZhR-së nga programi Administrata Qendrore, në vlerën prej 147,000 euro për bashkëfinancimin e projektit “YENI” dhe 200,000 euro për financimin e projektit “MARDI”, që në total përbëjnë 347,000 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas nënshkrimit të memorandumit të lartpërmendur, të pandehurit dërgojnë kërkesën në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për transferim të mjeteve dhe pas vërejtjeve që kishin marrë nga kjo e fundit, se këto projekte, nuk hynë në kategorinë e investimeve kapitale, të pandehurit për t’i përshtatur kategoritë e burimeve të financimit, më 24 mars 2022 nënshkruan “Aneks memorandumin” dhe dy shtojcat e burimeve të financimit, i cili aneks-memorandum lidhet për implementimin e dy projekteve “YENI” dhe “MARDI”.

Aktakuza thotë se të akuzuarit Damka dhe Kamberi kanë vepruar në kundërshtim me Rregulloren për kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik, duke tejkaluar limitete e financimit të OJQ-ve nga fondet publike që është 1% e ndarjes totale buxhetore në kuadër të kodit/programit buxhetor për vitin përkatës fiskal kur programi i atij kodi është mbi 1 milion euro. Respektivisht, duke financuar për tre vite 2022, 2023, 2024 OJQ-të e përmendura më lartë në shumën prej 1 milion e 40 mijë euro.

Me këtë, thuhet se kanë tejkaluar shumëfish shumën e lejuar për një vit dhe me këto veprime shkelin edhe parimet e përgjithshme të financimit të OJQ-ve, duke mos bërë thirrje publike për të përzgjedhur OJQ-të përfituese.

Kështu, thuhet se kanë hyrë në obligime buxhetore në vlerën prej 1 milion e 40 mijë euro, duke nënshkruar marrëveshje në mënyrë të kundërligjshme, e që përfitojnë “Caritasi Zviceran” dhe “Germin”, e në të cilën shumë e dëmtojnë buxhetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Andaj me këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, e lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka kërkuar që të pandehurit të urdhërohen t’ia kompensojnë palës së dëmtuar shumën prej 1 milion e 40 mijë euro.

Po ashtu, PSRK-ja kërkoi që dy të akuzuarve t’iu shqiptohet dënimi plotësues- Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik./BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika