Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë, duke thënë se kjo është një tragjedi e rëndë njerëzore dhe një alarm serioz për mënyrën se si institucionet tona e trajtojnë sigurinë dhe dinjitetin e grave.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Rama ka shkruar se fakti që ajo kishte kërkuar mbrojtje dhe kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej, e bën këtë ngjarje edhe më tronditëse
“Si baba, që kam vendosur ta sjell vajzën time të jetojë dhe ta ndërtojë të ardhmen e saj në Kosovë, e përjetoj këtë ngjarje me shqetësim të thellë. Sepse siguria e saj, sikurse e çdo vajze dhe gruaje në këtë vend, nuk duhet të varet nga fati, nga rrethanat apo nga gatishmëria individuale e një zyrtari për të reaguar. Ajo duhet të jetë garanci e shtetit”, ka shkruar Rama.
Postimi i plotë:
Vrasja e gruas në Pejë është një tragjedi e rëndë njerëzore dhe një alarm serioz për mënyrën se si institucionet tona e trajtojnë sigurinë dhe dinjitetin e grave.
Fakti që ajo kishte kërkuar mbrojtje dhe kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej, e bën këtë ngjarje edhe më tronditëse. Kjo kërkon jo vetëm hetim të plotë të krimit, por edhe shqyrtim të çdo veprimi apo mosveprimi institucional që i ka paraprirë.
Si baba, që kam vendosur ta sjell vajzën time të jetojë dhe ta ndërtojë të ardhmen e saj në Kosovë, e përjetoj këtë ngjarje me shqetësim të thellë. Sepse siguria e saj, sikurse e çdo vajze dhe gruaje në këtë vend, nuk duhet të varet nga fati, nga rrethanat apo nga gatishmëria individuale e një zyrtari për të reaguar. Ajo duhet të jetë garanci e shtetit.
Si shoqëri duhet të refuzojmë normalizimin e dhunës ndaj grave. Si institucione duhet të ndërtojmë mekanizma që reagojnë me kohë, me përgjegjësi dhe pa kompromis.
Nuk mund të pretendojmë se po ndërtojmë një shoqëri të drejtë, përderisa gratë vazhdojnë të kërkojnë mbrojtje dhe ne vazhdojmë të numërojmë viktima.
Me dhimbje dhe respekt për jetën e humbur, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen.