Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka kërkuar llogaridhënie nga prokurorja Suada Hamza për trajtimin e rastit të gruas së vrarë në Pejë.
Ai e ka akuzuar prokuroren se nuk e kishte dëgjuar kërkesën e saj për mbrojtje.
Duke iu referuar letrës së Arlindës, Qorrolli ka deklaruar se ajo kishte shpresuar në ndërhyrjen e institucioneve.
“Kjo është letra e Arlindës. E shkruar me dorën e saj, me shpresën se dikush do ta dëgjonte, se dikush do ta kuptonte rrezikun për jetën e saj, se dikush do të ndërhynte për ta mbrojtur”, ka shkruar ai.
Qorrolli ka drejtuar akuza ndaj prokurores, duke kërkuar që ajo të japë llogari para ligjit.
Deputeti ka shprehur dhimbje për vrasjen e saj dhe ka kërkuar që zëri i Arlindës të mos shuhet.
“Sa herë duhet të kërkojë një grua ndihmë, që të ketë të drejtën të jetojë e sigurt?”, ka shkruar Qorroli.
Ai ka theksuar se letra mbetet dëshmi e kërkesës së saj për mbrojtje.
“Le të bëhet kujtesë, ndërgjegje dhe përgjegjësi. Sepse asnjë grua nuk duhet të vdesë pasi ka kërkuar të jetojë”, ka përfunduar ai.