Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë detaje për veprimet institucionale të ndërmarra në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmjen e së dielës, më 25 tetor.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 22 tetor, Kryeprokurorja e këtij institucioni kishte pranuar një kërkesë nga Zekaj, në të cilën ajo kishte paraqitur ankesa për trajtimin e rasteve të mëparshme dhe kishte kërkuar zbatimin e një vendimi gjyqësor.
Pas pranimit të kërkesës, Kryeprokurorja ua kishte përcjellë çështjen disa institucioneve, përfshirë Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Qendrën për Punë Sociale dhe Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, duke kërkuar vlerësimin urgjent të situatës dhe verifikimin e pretendimeve për lëshime të mundshme.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, ishte iniciuar rast për të hetuar nëse në veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve të përmendur kishte elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas dokumentacionit të përmendur në njoftim, më 16 tetor, Gjykata kishte nxjerrë vendim që ish-bashkëshorti i Zekajt ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët.
Gjithashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për gjashtë muaj, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.
Prokuroria ka bërë të ditur se zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës.
Kur tashmë e ndjera Zekaj kishte kërkuar zbatimin e vendimit dhe kthimin në shtëpi, Policia e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit.
Pas vlerësimit të situatës dhe rrezikut të mundshëm, prokurori kishte konsideruar se kthimi i menjëhershëm mund të rrezikonte jetën dhe sigurinë e saj.
Për këtë arsye, prokurori kishte kontaktuar vëllezërit e Zekajt dhe kishte udhëzuar që ajo të shkonte te familjarët. Me kërkesën e saj, ishte përpiluar një shkresë zyrtare ku ishin paraqitur arsyet e këtij vendimi.
Sipas Prokurorisë, Zekaj kishte pranuar të shkonte te vëllezërit, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga policia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.
Po atë natë, prokurori dhe hetuesit policorë kishin vlerësuar nivelin e rrezikut dhe masat e nevojshme të sigurisë.
Ishte vendosur që një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë gjatë kthimit të saj. Për këto veprime ishte përpiluar procesverbal më 22 tetor, përmes të cilit ishte kërkuar të njoftohej edhe gjyqtari që kishte nxjerrë vendimin.
Më 25 tetor, në orën 19:48, Policia e Kosovës e kishte kontaktuar prokurorin kujdestar lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje në shtëpinë e Zekajt.
Në stacionin policor ishin shoqëruar Zekaj dhe ish-bashkëshorti i saj, J.S. Për rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa ish-bashkëshorti ishte ndaluar për 48 orë.
Prokuroria ka bërë të ditur se Zekajt i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.
Ajo ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi rreth orës 21:00.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se Zekaj ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i cili dyshohet për vrasjen.
Në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, për të përcjellë situatën dhe për të ndërmarrë veprimet fillestare hetimore.
Prokuroria ka njoftuar gjithashtu se më 23 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të Zekajt, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.
“Prokuroria Themelore në Pejë thekson se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë”, thuhet nga kjo prokurori.
Në fund të njoftimit, Prokuroria Themelore në Pejë ka shprehur keqardhje për vrasjen e Zekajt dhe ka theksuar se nevojitet një hetim i plotë, objektiv dhe profesional për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe për të vlerësuar përgjegjësitë eventuale të personave të përfshirë.
Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e A.S., i cili, sipas Prokurorisë, ende nuk është arrestuar.