Lifestyle Conference 2026: Nga ndërgjegjësimi te veprimi për një shëndet më të mirë

Edicioni i dytë i Lifestyle Conference, organizuar nga Chester Group në Hotel Emerald në Prishtinë, mblodhi profesionistë shëndetësorë, ekspertë dhe përfaqësues institucionalë për të diskutuar sfidat aktuale të shëndetit dhe rëndësinë e parandalimit, reduktimit të dëmit dhe promovimit të një stili jetese më të shëndetshëm.

Nën moton “Përtej ndërgjegjësimit: Shëndeti i së ardhmes nis me veprime konkrete.”konferenca solli në vëmendje nevojën për ta kthyer ndërgjegjësimin në veprime konkrete, përmes edukimit, zgjedhjeve të informuara dhe bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve.

Përmes tri paneleve të diskutimit dhe prezantimeve individuale, konferenca trajtoi shëndetin mendor, reduktimin e dëmit (Harm Reduction), parandalimin e sëmundjeve kronike, shëndetin e gruas dhe rolin e inteligjencës artificiale në mjekësi.

Shëndeti mendor: Nga ndërgjegjësimi te veprimi

Paneli i parë u përqendrua te shëndeti mendor dhe ndikimi i stresit, ankthit dhe traumave në mirëqenien individuale.

Diskutimet theksuan rëndësinë e identifikimit të hershëm të vështirësive psikologjike, edukimit që nga fëmijëria, mbështetjes familjare dhe krijimit të një mjedisi ku kërkimi i ndihmës profesionale nuk shoqërohet me paragjykime.

Dr. Faton Kutllovci, psikiatër, theksoi se identifikimi i hershëm i problemeve të shëndetit mendor dhe qasja në shërbime profesionale janë thelbësore për përmirësimin e mirëqenies dhe parandalimin e përkeqësimit të gjendjes.

Reduktimi i dëmit në praktikë: Rishikimi i qasjeve ndaj shëndetit, rrezikut dhe zgjedhjes”

Një nga temat qendrore të konferencës ishte reduktimi i dëmit, një qasje që synon zvogëlimin e pasojave negative shëndetësore që lidhen me sjellje dhe faktorë të caktuar të rrezikut.

Paneli i dytë trajtoi veçanërisht rreziqet që lidhen me përdorimin e duhanit dhe substancave të tjera, rëndësinë e edukimit të të rinjve dhe rolin e familjes, shkollës, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në parandalim.

Dr. Besim Morina, specialist i pulmologjisë, theksoi se, ndonëse mjekët kanë rol të rëndësishëm në identifikimin e faktorëve të rrezikut dhe edukimin shëndetësor, praktika shpesh mbetet më shumë e orientuar drejt trajtimit sesa këshillimit parandalues.

Ai nënvizoi nevojën për forcimin e qasjeve parandaluese, duke vënë në dukje ndryshimet në modelet e përdorimit të duhanit dhe produkteve alternative të nikotinës. Sipas tij, përpjekjet për zvogëlimin e dëmeve të lidhura me duhanin dhe nikotinën kërkojnë masa institucionale, edukim të vazhdueshëm dhe komunikim të hapur me fëmijët që nga mosha e hershme.

Parandalimi para trajtimit: Stili i jetesës dhe sëmundjet kronike