Atë kohë si 18 vjeçare, duke qenë se ishte krah i babait, mes lotësh ajo rrëfen se si kur shkoi në shtëpinë e saj për ta kërkuar të atin, të cilin ia kishin zënë paramilitarët serbë dhe e kishin lidhur me konop për karrigeje, u kap nga forcat serbe edhe ajo, ku përjetoi dhunimin në sy të babait.
E gjithë kjo, ajo tha se ndodhi në shtëpinë e familjarit të saj, të cilin, thotë se e ka sikurse axhën e saj.
“Jo, shtëpia…prej asaj shtëpie kemi kaluar në shtëpinë tjetër e axhës, mund ta quaj axhë se lidhjet familjare i kemi ashtu. E kishin lidhur babën për karrige, me konop. Baba i gjakosur ka qenë komplet. Pastaj me kanë marrë mua, me kanë zhvesh, me kanë lidhur. Afër babës, në prezencë të babës, veç me kujtohet një fjalë që i kanë thënë babës shikoje të dy do të jeni të vdekur. Se, baba bërtiste në pjesën tjetër dhe u mundojke së bashku me karrige. Ajo është pjesa më e ndjeshme që mund ta flas tash. Kanë qenë dy vetë, i treti i dehur me shishe në dorë dhe mua me ka humbur komplet vetëdija, nuk kam qenë më e vetëdijshme”, rrëfen ajo mes lotësh.
Teksa rrëfen tmerrin që përjetoi në prani të babait, ajo thotë se të gjitha rrobat i ishin shqyer me thika.
“Po, edhe këtu ma kanë futur thikën, por baba e kishte të pamundur të bëjë diçka për mua. Pastaj mua me ka rënë të fikët, nuk kam ditur asgjë, kam qenë e zhveshur, si u zgjidh baba nuk e kanë mbytur babën, si u zgjidh, si ka arritur të më mbështjell me batanije, nuk e di unë, veç e kam parë vetën në ****, në traktor, që më kishte dërguar baba dhe e kam parë vetën në *****. Deri në atë kohë e dëgjoja zërin e babës, por kam menduar se jam në ëndërr, duke më folur”, thotë ajo.
E mbijetuara e dhunës seksuale thekson se ishte babai i saj me butësinë e tij, afërsinë e tij, ajo, sot nuk do të ishte.
Madje, babai i kishte lënë një amanet, që ajo të mos dorëzohet, pavarësisht dhunës që përjetoi.