Për shkak të dhunës që ka përjetuar, e mbijetuara e dhunës seksuale, e cila po rrëfen në Debat Plus, tmerrin e përjetuar gjatë luftës, thotë se dhunë psikike e fizike përjetoi edhe në liri.
Ajo thotë se rastin e saj nuk ia tregoi as burrit të saj, sepse sipas saj, ai është një njeri i prapambetur. Derisa, fëmijët e saj, thotë se i ka mbajtur larg kësaj teme.
“Jo, nuk më ka dhënë rast dhe sot e njëqind vjet me mi dhënë Zoti jetë, unë s’do t’ia tregojë. Arsyeja është se tash i kam tre burra, me kupton çka po dua të them. Është baba, dhe dy djemtë. E shoh që djemtë jam mundu t’i largojë nga këto tema, por babai i tyre është njeri i prapambetur, saqë deri para dy viteve kam duruar deri me ka ardhur të hunda, se kam pasur dhunë psikike dhe fizike. Intervenime kam në zemër, dhe zemra jem sa herë që kam bërë intervenime veç sa është bërë më e fortë se jo të dobësohet. Nuk dua të dorëzohem, këtë e kam amanet nga baba”, thekson ajo.
Por, gjithë këtë dhunë psikike e fizike, ajo thotë se e ndihmoi Medica Gjakova, ta largojë, teksa tregon se si ra në kontakt me këtë organizatë.
“Po, dhe jam pajtuar me fatin. Mirëpo kjo, Medica Gjakova është që më ka bërë aq mirë. Kjo ka ndodhur, unë i kisha disa termine tek doktori, edhe një zonjë e ka pasur vajzën që kishte qenë e dhunuar edhe ajo, fëmijën e ka pasur në klasë me djalin tim dhe aty lidhem një shoqëri, një muhabet te shkolla. Unë kam motra që nuk kam biseduar asnjëherë, por sa herë që e di që e rëndojë, sepse çdo njeri e ka pjesën e familjes së vet, tha duhet me të taku me dikë, me Medica Gjakovën. Me zonjën e Medica Gjakovës kur jam takuar për herë të parë jam dridhë, sepse është një traumë që të përsëritet herë pas here, tërë kohën, e njëjta histori ta kthesh mbrapa ama tash jam e gatshme, tash jam mësuar”, rrëfen ajo.
Ajo e ka të njohur edhe statusin e të mbijetuarës së dhunës seksuale, që rreth tri vite, teksa u ka bërë thirrje të gjitha atyre grave e gjithë atyre burrave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, që të dalin dhe të rrëfejnë për atë çka ju ka ndodhur.