Abazoviq nga Ukraina: Jemi dëshmitarë të kërdisë së shkaktuar nga lufta

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka njoftuar se pas mbërritjes në Ukrainë, bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kanë vizituar qytetin Borodianka, i cili është një nga qytetet e para të shkatërruara nga lufta

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka njoftuar se pas mbërritjes në Ukrainë, bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kanë vizituar qytetin Borodianka.

Ai, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se janë dëshmitarë të shkatërrimit të shkaktuar nga lufta që po zhvillohet atje.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Borodianka të Ukrainës

“Menjëherë pas mbërritjes sonë, ne vizituam një qytet të shkatërruar në fillim të pushtimit, Borodianka. Jemi dëshmitarë të kërdisë së shkaktuar nga lufta. Lutemi për paqe së bashku me kryeministrin Rama. Qëndrojmë bashkë me popullin e Ukrainës”, ka shkruar Abazoviq.

Për këtë vizitë, dy kryeministrat shqiptarë kanë marrë ftesë nga vetë presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy.

Përmes një postimi në Twitter, Abazoviq njoftoi për mbërritjen në Kiev. Ai tha se këtë vizitë po e bëjnë për ta mbështetur popullin ukrainas.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Ukrainë

“Kemi arritur me Edi Ramën në Kiev për t’i ofruar mbështetje qytetarëve sa i përket të drejtës për ta mbrojtur lirinë. Mali i Zi vazhdon ta ndihmojë Ukrainën në momentet e vështira dhe në katastrofën humanitare”, ka shkruar kryeministri i Malit të Zi.

Delegacioni nga Shqipëria dhe Mali i Zi, pas mesditës pritet që të takohen me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ku pastaj do ta mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për media.

Pas takimit me presidentin Zelenskyy, në orët e pasdites, Edi Rama dhe Dritan Abazoviq, do të takohen me kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal.

Delegacioni zyrtar nga Shqipëria përbëhet nga: Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Endri Fuga, Drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim, Volodymyr Shkurov, Ambasador i Republikës së Ukrainës në Shqipëri,  Dorjan Duçka, Këshilltar i jashtëm dhe dy gazetarët Ben Blushi,  Baton Haxhiu..

Kurse, pjesëmarrësit e delegacionit nga Mali i Zi janë: Dritan Abazoviç, Kryeministër i Republikës së Malit të Zi,  Ana Rasovic, Shefe e kabinetit të Kryeministrit Abazoviç, Djorde Raduloviç, Këshilltar për Politikë të Jashtme, Milos Perisiç, Këshilltar për Media, Radivoje Koprivica, Këshilltare për Media Digjitale dhe Srdan Kosoviç, Gazetar.

Më tre maj të vitit 2022, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në adresimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, kishte thënë se qëndrimi i Shqipërisë ndaj popullit të Ukrainës e bën atë të kujtojë Nënë Terezën.

Zelenskyy i është drejtuar Shqipërisë në vazhdën e adresimeve që ai ka bërë që nga fillimi i luftës, nëpër parlamente të vendeve evropiane dhe vendeve të tjera aleate, të cilat e kanë përkrahur vendin e tij në përballjen me pushtimin rus, të nisur më 24 shkurt.

Zelenksy ka falënderuar Qeverinë shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e saj drejt Ukrainës.

Shija e redaktorit

Dita e fundit e Panairit të Librit në Tiranë, “Dukagjini”...

Panairi i 28-të i Librit në Pallatin e Kongreseve ka hapur dyert dhe, si çdo vit, Shtëpia Botuese Dukagjini ka rrëmbyer vëmendjen e vizitorëve...

Distria Krasniqi ia siguron Kosovës medaljen e artë në Kroaci

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Grand Prixin që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Krasniqi ka vazhduar dominimin e plotë...

Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të nxënësit,...

Një epokë e re e të mësuarit ka nisur për nxënësit e klasave të para! Abetarja digjitale, versioni modern dhe interaktiv i librit të parë...

Të fundit nga rubrika