Abdixhiku: Në dy vitet e qeverisjes së Kurtit janë thyer rekordet më negative ekonomike në vend

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeministri Kurti flet për rritje ekonomike në vend, por sipas Bankës Botërore, Kosova duke përjashtuar pandeminë, do të shënojë sivjet rritjen më të ulët ekonomike në 10 vjet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për zhvillimin ekonomik në vend, duke thënë që gjatë qeverisjes së tij janë thyer disa nga rekordet më negative ekonomike në vend.

“Në dy vitet e tij të qeverisjes, janë thyer disa nga rekordet më negative ekonomike në vend. Tre treguesit kryesorë makroekonomik, ai i inflacionit, i deficitit tregtar e i rritjes ekonomike, japin sot pasqyrën e vërtetë në vend”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se gjatë kësaj kohe sa Kurti po qeverisë me vendin çdo produkt ka pësuar rritje të çmimeve.

“Që nga dita e parë e tij e punës e deri më sot, çmimet janë rritur për 20 për qind. Ky numër është rekord. I paparë ndonjëherë. Për krahasim, në Shqipëri inflacioni është vetëm 8 për qind. Produktet bazike si buka, mielli, qumështi, vaji, vezët, rryma e derivatet janë sot dy-tre fish më shtrenjtë se sa që ishin dy vite më parë. Por ai këtë rritje të çmimeve nuk e sheh”, ka shkruar ai, në rrjetin social Facebook.

Sipas tij, Kurti preferon të përmendë rritjen e eksportit për 300 milionë, por qëllimisht nuk përmend rritjen e importit për 2 miliardë e 300 milionë.

“Po pra, 2 miliardë e 300 milionë euro më shumë importe për dy vitet e tij. Më 14 shkurt të vitit 2021, deficiti tregtar në vend – pra diferenca mes importeve e eksporteve – ishte 3 miliardë euro. Në fund të këtij viti kjo diferencë pritet të arrijë frikshëm në plot 5 miliardë; rekord i paparë ndonjëherë. Pra, për 20 vjet, në gjithë mbrapshtësinë ekonomike, Kosova ka patur diferencë prej 3 miliardëve eurove mes importeve dhe eksporteve në vend”, ka shkruar ai.

Ndërsa, ai ka shkruar se Kurti flet për rritje ekonomike në vend, por sipas Bankës Botërore, Kosova duke përjashtuar pandeminë, do të shënojë sivjet rritjen më të ulët ekonomike në 10 vjet.

“Me vetëm 3.1 për qind rritje, për herë të parë në një dekadë, vendi ynë do të ketë rritje nën mesataren e asaj në Ballkan. Kaq është zhvillimi i tij sivjet”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndërsa, për investimet kapitale në vend, sipas tij, ato që shtyjnë vërtetë ekonominë, janë në realizimin më të ulët historik.

“Mendojeni pak këtë; të punosh më pak se në pandemi. Me vetëm 9 për qind punë të kryera nëpër ministri, ai ka bllokuar ekonominë. Sot mbanë 700 milion euro në bankë, pa e kuptuar se me inflacion prej 20 për qind i ka zhvlerësuar mbi 140 milionë euro prej tyre”, ka shkruar tutje ai.

Ndërkaq, sipas kryetarit të LDK-së, Kurti flet për zhvillim ekonomik i shkëputur nga realiteti shoqëror në vend, duke shtuar se kryeministri “në vend të përrallave për zhvillim, le t’iu flasë për dimrin e vështirë energjetik tek i cili po i futë njerëzit tërësisht papërgatitë”.

Shija e redaktorit

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Të fundit nga rubrika