“Kur shteti bllokohet, qytetet si Suhareka mbeten pa investime, projekte dhe përkrahje”, ka deklaruar i pari i LDK-së, njëherësh kandidati për Kryeministër Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit në Suharekë. Ai kritikoi çasjen e qeverisë në detyrë karshi zhvillimit, dhe jo vetëm.
Abdixhiku po ashtu potencoi se konfliktet politike dhe shkeljet kushtetuese kanë prodhuar pasiguri.
“Kjo është Suhareka!
Plot emocion, dashni dhe mbështetje.
E përforcuar fuqishëm nga mërgimtarët, e rrënjosur thellë në vlerat e djathta kombëtare,
Suhareka sot kërkon shpresë dhe rreshtim të qartë prapa Lidhjes sonë.
Sepse qytetarët janë të ngopur dhe të lodhur nga propaganda. Të lodhur nga një qeverisje populliste që, përveç parullave, nuk ka ofruar zgjidhje reale. Sepse besojnë në ekipin tonë, në listën tonë dhe në programin tonë; mbi të gjitha, besojnë në përgjegjësinë e madhe që kemi për shtetin dhe për të ardhmen e Kosovës.
Kjo përgjegjësi përkthehet në zotime konkrete: mësim tërëditor, çerdhe të reja, paketën për të porsalindurit, pensione 300 euro, paga 1000 euro për mësuesit dhe investime të mëdha në rrugë, energjetikë, turizëm dhe bujqësi.
Në listën e LDK-së, Suhareka përfaqësohet nga kandidatë të dëshmuar profesionalisht, që vijnë nga ekonomia, shëndetësia dhe qeverisja lokale.
Me numër 26 Ardian Shala, me numër 80 Flamur Bytyçi, me numër 81 Dafina Kolgeci dhe me numër 82 Feim Gashi.
Suhareka zgjedh përgjegjësi. Zgjedh seriozitet. Zgjedh LDK-në”, ka shkruar Abdixhiku.