Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, zhvilloi një takim me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Gjatë takimit, u diskutuan zhvillimet politike në rajon, sfidat aktuale të sigurisë dhe rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në proceset integruese euroatlantike.
Abdixhiku theksoi nevojën që zëri i Kosovës të jetë i unifikuar dhe i qartë ndaj partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht në çështjet që lidhen me stabilitetin rajonal, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Ai shtoi se marrëdhënia mes Kosovës dhe Shqipërisë është e veçantë, e bazuar mbi histori, vlera dhe aspirata të përbashkëta, dhe nënvizoi përgjegjësinë e përbashkët për të kontribuar në paqen e qëndrueshme dhe perspektivën evropiane të rajonit.
Ritheksimi i bashkëpunimit të ngushtë institucional, dialogut politik të rregullt dhe përkrahjes reciproke mbetet një shtyllë strategjike për të ardhmen e qytetarëve dhe forcimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.