Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim këtë të enjte ambasadorin e ri gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph.
Abdixhiku bën të ditur se ka uruar ambasadorin dhe se ka vlerësuar lartë marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Gjermanisë, njofton Dukagjini.
“Sot prita në takim njohës ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph. E urova për fillimin e mandatit të tij në vendin tonë dhe i dëshirova sukses në përmbushjen e detyrës së re dhe misionit të tij diplomatik. Vlerësova lart marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në fusha me interes të përbashkët”.
Tutje, Abdixhiku bën të ditur se ambasadorin e ri e informoi edhe për zhvillimet e fundit politike në vend si procesin e zgjedhjeve lokale dhe funksionalizimin e Kuvendit.
“Gjatë takimit, e informova ambasadorin për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë procesin e zgjedhjeve lokale dhe funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës, duke ndarë edhe qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi këto çështje. Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit dhe forcimit të institucioneve tona demokratike. Ambasadorit të ri, i urova fat e mbarësi në mirëmbajtjen dhe ngritjen e nivelit të bashkëpunimit mes të dy shteteve”, ka shkruar Abdixhiku.