Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Kosova gjatë pesë viteve të fundit ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për blerjen e rrymës.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Abdixhiku ka kritikuar qeverinë aktuale duke thënë se për shkak të këtyre shpenzimeve janë ndalur projekte të rëndësishme kapitale.
“Këta njerëz e kanë ndalur unazën e kryeqytetit të Prishtinës, ka qenë investim prej 250 milionë eurosh. Çka s’është ndalur këtu në Kosovë? Kosova për pesë vjet ka blerë rrymë në vlerë prej 1 miliard eurosh. Veç sivjet kemi 250 milionë kemi blerë rrymë, qe ku janë paratë,” ka deklaruar ai.
Ai tha se me 250 milionë eurot e shpenzuara vetëm këtë vit, do të ishte përfunduar unaza e kryeqytetit.
“Me 250 milionë euro vetëm të sivjetshit do të ishte paguar unaza e kryeqytetit. Me 250 milionë ishte paguar gjysma e spitalit të ri të Kosovës, investimi më i madh në shëndetësi që nga viti 1964” tha ai.
Sipas Abdixhikut, me këto mjete do të ishte mundësuar edhe realizimi i projektit të mësimit tërëditor në shkolla.
“Me 250 milionë euro do të ishte kryer mësimi tërëditor; fëmijët do të kishin ngrënë ushqim të ngrohtë dhe do të qëndronin tetë orë në shkollë,” shtoi ai.