Një aeroplan i aviokompanisë American Airlines u kthye në aeroportin e Las Vegasit të mërkurën në mëngjes, pasi nga njëri prej motorëve të tij dolën flakë dhe tym në ajër, thanë zyrtarët.
Aeroplani u ul në mënyrë të sigurt dhe nuk u raportuan të lënduar, transmeton Telegrafi.
Aeroplani i American Airlines u nis nga aeroporti ndërkombëtar Harry Reid në Las Vegas për në Charlotte, Karolinën e Veriut, rreth orës 8:11 të mëngjesit, sipas Flightradar24, një faqe interneti për ndjekjen e fluturimeve.
Një zëdhënës i aeroportit tha se tymi vinte nga motori i tij i majtë pas ngritjes. Videot e postuara në mediat sociale treguan tym dhe flakë që dilnin nga motori ndërsa ishte në fluturim.
Aeroplani më pas u kthye në aeroport rreth orës 8:20 të mëngjesit, tha Administrata Federale e Aviacionit në një deklaratë.