Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i është bashkuar thirrjes së shumë asociacioneve kombëtare të gazetarëve në Evropë, duke u drejtuar me një kërkesë institucioneve qendrore të Kosovës për të marrë një qëndrim të qartë ndaj krizës humanitare në Gaza.
Në letrën e dërguar presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, AGK-ja kërkon reagim zyrtar.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), u është bashkuar asociacioneve kombëtare të shumë shteteve evropiane, duke u shkruar institucioneve qendrore të shteteve përkatëse, për të nxitur reagimin rreth situatës së papranueshme me krizën humanitare në Gaza.
AGK-ja i kërkon Presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Kurti që të marrin qëndrim të qartë rreth kësaj krize, dhe të bëjnë thirrje publike për ndaljen e vrasjes së civilëve dhe gazetarëve nëpërmjet metodës së urisë, të orkestruar nga shteti i Izraelit”, thuhet në njoftim.