Një ditë pas varrimit të Agon Zejnullahut, i cili humbi jetën në rrethana të dyshimta më 7 korrik në Lipjan, familja e tij ka dalë me akuza të rënda ndaj trajtimit që ai mori nga zyrtarët policorë.
Vëllai i viktimës, Albani, në një intervistë për Televizionin Dukagjini, shprehu zhgënjimin dhe indinjatën për mënyrën se si institucionet e trajtuan rastin.
“Fillimisht në bazë të paraqitjes që e kanë bërë, që nuk na kanë dorëzuar ndonjë raport. E kanë shpërfaqë një fytyrë tjetër të valluat tonë që nuk e njohshim… pas pamjeve që i shfaqen njerëzit e vullnetit të mirë, njerëzit që e kanë dashtë të drejtën dhe mediat, që kanë qenë i vetmi krah i joni në këto momente u kuptua një situatë tjetër.
Ku ushtrohet dhunë, nuk është forcë e tepruar, ajo është dhunë çnjerëzore ndaj një qytetari, që ata u dashtë më trajtu ndryshe. Vetë rastit si ka vijuar, personi që e ngreh zhag nga makina, është një polic civil i Ferizaj, që kinse rastësisht ka ardhur. Ne nuk kemi me asnjë policë diçka personale. Atë ditë të rastit, ne emergjencë janë shmangur, nuk folshin, nuk vinin as me na përshëndet” ka thënë ai për Dukagjinin.
Vlen të theksohet se mbrëmjen e kaluar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) arrestoi pesë zyrtarë policorë të përfshirë në incident.