Një punonjës 55-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një incidenti të rëndë që ka ndodhur sot në Termocentralin “Kosova B” në Obiliq.
Përmes një njoftimi zyrtar, Korporata Energjetike e Kosovës bëri të ditur se në incident është përfshirë një mjet transportues dhe një punonjës i ndërmarrjes.
Sipas njoftimit, si pasojë e përplasjes, punonjësi ka pësuar lëndime të rënda trupore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë zyrtarët e KEK-ut, si dhe ekipet e Policia e Kosovës dhe ato mjekësore.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), njofton me keqardhje të thellë se sot, në Termocentralin “Kosova B”, ka ndodhur një incident i rëndë, ku është përfshirë një mjet transportues kamion dhe një punonjës.
Si pasojë e këtij incidenti, një punonjës mashkull kosovar 55 vjeçar ka pësuar lëndime të rënda.
Në vend ngjarje menjëherë kanë dalur zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë.
KEK sh.a. shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, si dhe kolegëve e të gjithë bashkëpunëtorëve të tij.
Autoritetet përkatëse janë duke trajtuar rastin në përputhje me procedurat ligjore”, thuhet në njoftim.