Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në fshatin Llapushnik, ku janë përfshirë dy vetura udhëtarësh, njëra me targa vendore dhe tjetra me targa të huaja.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, automjetet drejtoheshin nga dy meshkuj kosovarë. Për pasojë, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar.
Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa i lënduari është transportuar në QKUK për trajtim mjekësor.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.