Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka ndërmarrë një aksion të koordinuar që ka rezultuar me bastisjen e katër lokacioneve dhe arrestimin e katër personave të dyshuar për vepra penale.
Sipas komunikatës së përbashkët për media, ndër të arrestuarit është edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës, me gradën kolonel, ndaj të cilit ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi.
“Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka ndërmarrë sot një aksion të koordinuar që ka rezultuar me bastisjen e katër lokacioneve në Prizren dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.
Ky aksion është rezultat i një hetimi disa mujor i cili është zhvilluar me profesionalizëm dhe përkushtim nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Në mesin e personave të arrestuar është edhe një zyrtar i lartë policor me gradën kolonel, ndaj të cilëve ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktualisht, hetuesit e IPK-së, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore në terren, në funksion të zbardhjes së plotë të çështjes dhe grumbullimit të provave relevante.
Gjithashtu IPK, si pjesë e procedurës administrative ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor.
Institucionet e zbatimit të ligjit mbeten të përkushtuara në bashkëpunim ndërinstitucional dhe të vendosura në luftën kundër çfarëdo forme të krimit, përfshirë edhe atë të kryer nga zyrtarë publik”, thuhet në njoftim.