Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Igor Popoviqit, i cili akuzohet për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe e mosdurimit”, sipas Kodit Penal të Kosovës.
Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Popoviqi më 18 korrik 2025, rreth orës 12:00, në një fjalim publik në Rahovec, ka përdorur gjuhë nxitëse dhe urrejtëse ndaj komuniteteve të tjera, duke theksuar ndarje etnike dhe duke lavdëruar strukturat që janë cilësuar si organizata terroriste nga shteti i Kosovës.
Në deklaratën e tij publike, ndër të tjera, Popoviq kishte thënë: “Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë*, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste”.
Ai më pas kishte vijuar thirrjen ndaj qytetarëve me fjalët: “Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe”.
“Me këto veprime, I.P. akuzohet se ka nxitur dhe thelluar mosbesimin dhe mosdurimin ndaj diversitetit etnik në Kosovë, si dhe ka cenuar bashkëjetesën ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, thuhet nga Prokuroria.
Igor Popoviq ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
Për këtë arsye, përveç aktakuzës, Prokuroria ka dorëzuar në gjykatë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë, duke lënë në dorën e trupit gjykues vendimin për dënimin përfundimtar.