Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër mjekut gjinekolog S.Gj., nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, më 31 janar 2022, S.Gj., në cilësinë e mjekut pranë repartit të Gjinekologjisë – Obstetrike në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi të Kosovës.
Ai dyshohet se, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, me qëllim përfitimi personal apo për të tjerët, i ka rekomanduar pacientes G.B. që të kryejë lindjen me operacion në një klinikë private në Prishtinë, ku edhe vetë është i angazhuar si mjek.
Ndërkohë, pacientja G.B. kishte kryer të gjitha kontrollet gjatë shtatzënisë në Spitalin e Prizrenit dhe në klinikën private të të njëjtit mjek në Prizren. Megjithatë, kur kishte kërkuar të lindte në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, mjeku e kishte refuzuar këtë kërkesë, duke thënë se në repart kishte raste me Covid-19.
Ai më pas i kishte udhëzuar G.B. dhe bashkëshortin e saj J.B. që lindja të kryhej në një nga klinikat private në Prishtinë.
Lindja përfundimisht ishte kryer në atë klinikë, dhe operacionin e kishte bërë vetë i pandehuri, duke u shkaktuar dëme materiale pacientëve në vlerë prej 1,500 euro.