Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj S.C., i cili akuzohet për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas njoftimit të PSRK-së, i pandehuri dyshohet se në Komunën e Shtërpcës, gjatë një feste me karakter fetar, qëllimisht ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike në Kosovë.
“Me datë 10.06.2025, i pandehuri S.C., me dashje dhe në mënyrë të qëllimshme, përmes veprimeve publike të tij gjatë një feste fetare, ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës. Me këto veprime, sipas aktakuzës, ai ka kontribuar në prishjen e rendit dhe sigurisë publike në vend”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që pas shqyrtimit gjyqësor i pandehuri të shpallet fajtor për veprat që i ngarkohen dhe ndaj tij të shqiptohet dënim në përputhje me ligjin.