Prokuroria Speciale ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit G.S., i akuzuar për “shpëlarje parash”.
Sipas aktakuzës, G.S. dyshohet se gjatë periudhës 2019–2023 ka pranuar dhe menaxhuar shumën prej 898,937.84 euro, duke qenë i vetëdijshëm se burimi i këtyre mjeteve është aktivitet kriminal.
Ai akuzohet për fshehjen dhe maskimin e origjinës dhe lëvizjes së kësaj pasurie, përmes kontratave fiktive dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë jashtë Kosovës.
“I pandehurit G.S. akuzohet se duke qenë në dijeni se shuma prej 898,937.84 euro, buron nga veprimtaria kriminale, e ka pranuar dhe menaxhuar këtë pasuri me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, disponimit, lëvizjes apo pronësisë së saj, gjatë periudhës kohore 2019–2023, përmes kontratave fiktive dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të dyshuar jashtë territorit të Republikës së Kosovë”, thuhet në njoftim.
Në aktakuzë është përfshirë edhe personi juridik “G.S. I.S.”, pasi Prokuroria dyshon se biznesi është përdorur për qarkullimin e parave dhe fshehjen e produkteve të aktivitetit kriminal.
Gjykata ka sekuestruar pesë parcela tokësore me vlerë rreth 355,800 euro, pronë kjo që përfshihet në aktakuzë, dhe Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e tyre pas përfundimit të procedurës gjyqësore.
Prokuroria ka propozuar që ndaj personit juridik të shqiptohet dënim me gjobë dhe masa për “pushimin e personit juridik”, ndërsa ndaj G.S. kërkohet dënim plotësues me “ndalim të ushtrimit të veprimtarisë” për llojin dhe veprimtarinë që ka ushtruar si person përgjegjës i personit juridik të lartpërmendur.