Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj B.T., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të kryera gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999.
Sipas aktakuzës, B.T., në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe objektit paralel në Lipjan, dyshohet se në bashkëkryerje me gardianë të tjerë, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë konfliktit të armatosur.
Prokuroria thekson se veprimet janë kryer me dashje dhe në mënyrë sistematike ndaj të burgosurve shqiptarë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj B.T. për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, B.T., në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, në bashkëkryerje me gardianë të tjerë, gjatë periudhës 1998-1999, duke vepruar me dashje, ka shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur përkatësisht, kohës së luftës në Kosovë.
Ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në mënyrë sistematike, ata i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike.
I pandehuri, në bashkëkryerje, i kishte lënë të burgosurit pa ushqim për ditë të tëra, i kishte kanosur seriozisht për jetën dhe, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme dhe trajtimit ç’njerëzor, ata kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme. Këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës, Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftim.