Tre zyrtarë policorë të stacionit policor në Klinë janë arrestuar sot nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, nën dyshimet se kanë keqtrajtuar fizikisht një qytetar gjatë arrestimit të tij më 28 qershor në oborrin e shtëpisë së tij në rrugën “Ismail Qemajli” në Klinë.
Sipas komunikatës së përbashkët për media, IPK dhe Prokuroria Themelore në Pejë kanë ndërmarrë veprime hetimore.
“Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës, pas grumbullimit të provave dhe analizimit të tyre, kanë arrestuar sot tre zyrtarë policorë, të cilët dyshohen se gjatë arrestimit të një personi kanë tejkaluar autorizimet e tyre dhe kanë keqtrajtuar fizikisht të njëjtin derisa i njëjti ishte i prangosur.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit (zyrtarë policorë) janë ndaluar për 48 orë për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”
Hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim.