Policia e Kosovës, përmes Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka arrestuar një inspektor të Punës, i cili dyshohet se ka kërkuar ryshfet për të lejuar punimet e një kompanie ndërtimi.
Sipas raportit të policisë, M. K., pronar i një kompanie ndërtimi dhe shtetas i huaj me leje qëndrimi të përkohshme në Kosovë, është penguar në realizimin e punimeve nga inspektori G. B., i cili dyshohet se i ka kërkuar 2,000 euro.
Ankuesi ka paguar pjesërisht shumën prej 1,000 euro.
Gjatë hetimeve, policia ka siguruar prova përfshirë paratë e sekuestruara nga i dyshuari dhe telefonin e tij.
Sot, më 28 janar 2026, G. B. është intervistuar si i dyshuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe më pas është dërguar në mbajtje 48-orëshe për procedura të mëtejshme ligjore.
Ai dyshohet për veprat penale, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit”, sipas nenit 414 dhe 421 të Kodit Penal të Kosovës.