Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në fjalën e tij përfundimtare në rastin e gazit lotsjellës, ka thënë se veprimet e ndërmarra atëkohë kanë qenë politike dhe se kundërshtimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi ishte gabim.
Sveçla ka deklaruar se ajo marrëveshje ishte e gabuar atëherë dhe, sipas tij, mbetet e tillë edhe sot.
Ai ka thënë se tash, në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme, po përballet me kërkesa nga qytetarët e zonave që, sipas tij, kanë pësuar pasoja nga demarkacioni.
“Veprimet e atëhershme kanë qenë politike. E kemi kundërshtuar marrëveshjen për demarkacionin. Ishte gabim atëherë dhe është gabim edhe sot”, ka thënë Sveçla.
Ai ka shtuar se qytetarët nga ajo zonë tash i drejtohen atij për ndihmë për shkak të vështirësive me të cilat përballen.
“Unë sot, si ministër i Punëve të Brendshme, qytetarët e asaj zone që kanë pësuar nga demarkacioni më kërkojnë ndihmë për shkak të vështirësive që kanë”, ka deklaruar Sveçla.
Sveçla ka kritikuar edhe Prokurorinë për, siç ka thënë, mosndërmarrjen e veprimeve lidhur me çështjen e demarkacionit.
Ndërkohë, avokati i Sveçlës ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se gjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar ajo që pretendohet në aktakuzë.
Në anën tjetër, Prokurori i Shtetit ka kërkuar dënimin e Sveçlës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë leximit të dispozitivit, Prokuroria ka bërë të ditur se heq dorë nga akuza për veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit të kësaj vepre.