Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Policia e Kosovës dhe Drejtoria e Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, kanë njoftuar se sot kanë mbajtur takim të përbashkët me qëllim forcimin e koordinimit institucional për ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta kundër shitjes dhe therrjeve ilegale jo higjienike dhe të paautorizuara të kafshëve dhe shpezëve, të cilat paraqesin rrezik serioz për shëndetin publik dhe sigurinë ushqimore.
Siç e ditur në njoftimin e AUV-it, institucionet u dakorduan që të intensifikojnë bashkëpunimin dhe të zbatojnë masa të menjëhershme, të koordinuara dhe pa tolerancë ndaj çdo personi apo biznesi që ushtron këtë veprimtari të paligjshme, njofton Dukagjini.
Po ashtu, u është bërë thirrje të gjithë individëve dhe subjekteve ekonomike që merren me shitjen dhe therjen ilegale të kafshëve dhe shpezëve që t’i ndërpresin menjëherë këto veprimtari.
“Duke marrë parasysh se këto veprime paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Policia e Kosovës dhe Drejtoria e Inspektoratit e Komunës së Prishtinës u bëjnë thirrje publike të gjithë individëve dhe subjekteve ekonomike që merren me shitjen dhe therrjen ilegale të kafshëve dhe shpezëve që t’i ndërpresin menjëherë këto veprimtari. Çdo shkelje do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe ndaj shkelësve do të merren masa të rrepta ligjore. Gjithashtu ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të kësaj veprimtarie ilegale”, thuhet në njoftim.