Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Sipas tij, Kosova ka dështuar të marrë disa hapa të nevojshëm ashtu që në Hagë, të zhvillohet një proces i drejtë.
“Nuk duhet të flasim për mbështetje. E, para që duhet të bëjmë është të sigurojmë proces të drejtë dhe të paanshëm. Ndoshta këtu Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm, sepse ka qenë e domosdoshme që kjo gjykatë të monitorohet prej një autoriteti i cili është jopolitik, joinstitucional. Pra, mund të jetë institut i të drejtave të njeriut, mund të jetë organizatë e shoqërisë civile. E kam ngritur këtë shqetësim qysh me kohë kur e kam pasur vizitën e parë në vitin 2021, sepse përkundër garancive që verbalisht i japin gjyqtarët, kryetarja e gjykatës dhe vetë gjykata, këto janë të pamjaftueshme në kuptim të vetë mënyrës se si po procedohet ky rast”, tha Qelaj për EO.
Sipas Qelajt, në këtë proces duhet të përfshihet edhe Këshilli i Evropës.
“Për më tepër, konsideroj që duhet ditur që kjo gjykatë ka ardhur si rrethanë e një detyrimi ndërkombëtar, një obligimi ndërkombëtar që Kosova e ka marrë. Është me rëndësi të shihet që gjykata a po vepron brenda atyre kornizave të atij detyrimi, mos ka dalë përtej asaj. Nëse Këshilli i Evropës si autoritet mbi të cilin raportet dhe rezultatet e të cilit është themeluar kjo gjykatë, ndoshta duhet të aktivizohet për ta monitoruar vetë dhe ta shohë se a është në linjën e kërkesave që i ka pasur kjo organizatë”, tha për Ekonomia Online, Avokati i Popullit, Qelaj.