Azerbajxhani dëbon dy diplomatë francezë

Azerbajxhani ka urdhëruar largimin e dy diplomatëve francezë, për shkak të veprimeve "të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik"

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit njoftoi të martën se kishte urdhëruar largimin e dy diplomatëve francezë, për shkak të veprimeve “të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik”.

​Ministria tha përmes një deklarate se kishte thirrur ambasadoren franceze, Anne Boillon, për t’i shprehur një “protestë të fortë për veprimet e dy punonjësve të ambasadës franceze”.

Në deklaratë thuhej se të dy diplomatët ishin shpallur persona non grata dhe ishin urdhëruar të largoheshin nga vendi brenda 48 orëve, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Vendimi vjen në mes të marrëdhënieve të tensionuara midis dy vendeve, pasi Bakuja e ka akuzuar Francën se është treguar e njëanshme ndaj Armenisë gjatë bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga evropianët.

Në nëntor, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, e akuzoi Francën për nxitje të konflikteve në Kaukaz përmes furnizimit me armë të Armenisë. Azerbajxhani dhe Armenia kanë zhvilluar dy luftëra për rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakut.

Azerbajxhani e rimori kontrollin e rajonit në shtator, pas një ofensive të rrufeshme kundër separatistëve armenë që e kishin kontrolluar zonën për tri dekada.

Kohë më parë, Armenia dhe Azerbajxhani ishin shprehur lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për paqe deri në fund të vitit, por negociatat midis ish-republikave sovjetike të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët kanë bërë pak përparime.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, dhe Aliyev janë takuar disa herë për bisedime me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por, në tetor, Aliyev refuzoi të merrte pjesë në negociatat në Spanjë me Pashinyan, lidhur me atë që ai tha se ishte “qendrim i njëanshëm i Francës”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, do t’i ndërmjetësonin bisedimet së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Strehë e një diaspore të madhe armene, Franca është akuzuar vazhdimisht nga Azerbajxhani për njëanshmëri proarmene, lidhur me konfliktin territorial të vendeve të Kaukazit./VOA

Shija e redaktorit

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Të fundit nga rubrika