Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklaratës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i cili ka deklaruar se LDK ende shpreson për bashkëpunim me Listën Serbe.
Bajrami e quajti hipokrizi atë që tha Murati, duke theksuar se në fakt është LVV-ja ajo që vazhdimisht e fton LDK-në për bashkëqeverisje.
“Murati i ka quajtur partitë shqiptare parlamentare bashkëpunëtore të Listës Serbe, ndërkohë që një prej tyre – LDK-së – pesë herë në ditë i çojnë fjalë: ‘A po vjen me bashkëqeverisë’”, ka shkruar ajo në Facebook.
Deputetja përmendi edhe rastin e sulmit në Banjskë ku ra dëshmor Afrim Bunjaku, duke kritikuar qeverinë e LVV-së që nuk e shpalli Listën Serbe organizatë terroriste, duke theksuar se ky refuzim lidhet me koordinimin e mëparshëm mes Mimoza Kusarit dhe Listës Serbe në çështje të pagave për veteranët.
“Dhe e fundit, tashmë të gjithë e kanë të qartë se sa herë që i vjen erë korrupsion krejt Lëvizjes Vetëvendosje, ata provojnë me luajtë ”patriotin”, kinse të tjerët janë me Serbinë”, ka shkruar Bajrami.
Ajo i bëri edhe një pyetje publike Hekuran Muratit, duke kërkuar sqarim për monopolizimin nga EFT-ja e Vuk Hamoviqit të linjave të transmetimit të energjisë nëpërmjet Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, dhe për faktin se si Kosova ka paguar deri në 798.32 euro për transportin e një MWh energjie elektrike.
Nga ana tjetër, deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, kishte deklaruar se partia e tij është e vendosur që për postin e nënkryetarit të Kuvendit të zgjedhin dikë që nuk vjen nga Lista Serbe.
Ai tha se për këtë nismë kanë ftuar edhe partitë e tjera politike, por ende nuk kanë marrë përgjigje pozitive.