Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj aplikimit të KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë elektrike për vitin 2026, duke e cilësuar këtë si një “zhvatje të qytetarëve nga mafia energjetike”.
Bajrami thekson se kërkesa e KESCO-s nuk është e vetmja, pasi rritje të ngjashme çmimi kanë kërkuar edhe operatorët tjerë, si KEDS, KOSTT dhe KEK. Deputetja kujton premtimin e kryeministrit Albin Kurti para se të vinte në pushtet, që energjia do të lirohej, duke e bërë më të përballueshme për qytetarët.
“E kam thënë edhe më herë, po e përseris prapë se trashja e xhepave të tregtarëve të energjisë, pjesë e mafisë energjetike, bëhet duke u zbrazur xhepat qytetarëve. Kërkesa e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë nuk është as e vetmja e as definitive, pasi rritje çmimi sigurt kanë kërkuar edhe operatorët e tjerë: KEDS, KOSTT dhe KEK. Sido që të jetë, mos e harroni kurrë premtimin e Albin Kurtit para se të vinte në pushtet, kur thoshte ”do ta lirojmë energjinë se është tepër e shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji”.
Një gjë tjetër duhet ta kemi parasysh se sa herë që flitet për rritje të çmimit të energjisë, rriten çmimet e të gjitha artikujve. Pra, rritja e çmimit të energjisë ka gjithmonë efekt multiplikues dhe gjithmonë negativ. Dhe në fund mos harroni se 100 Euro në kohë zgjedhjesh, shtesat për lehona, shtesat për fëmijë, shtesat për të moshuar dhe studentë janë pasojë e varfërimit të qytetarëve, jo rezultat i zhvillimit ekonomik. Ka ardhur koha që secili qytetar i këtij vendi të dalë kundër çdo vendimi të padrejtë të institucioneve publike dhe qeverisë”, ka shkruar Bajrami