Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili njoftoi se ekonomia e vendit ka vazhduar trendin e rritjes.
Murati tha se Bruto Produkti Vendor (BPV) ka shënuar rritje prej 4.58% në tremujorin e dytë të vitit 2025, duke theksuar se kjo përqindje është më e lartë krahasuar me TM2 të vitit 2024, i cili ishte 4.32%, gjë që sipas tij tregon një përshpejtim të rritjes ekonomike.
Por, Bajrami e ka kundërshtuar këtë paraqitje optimiste, duke rikujtuar se inflacioni ka pësuar rritje të ndjeshme.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për muajin gusht 2025 inflacioni është 4.5% më i lartë se në muajin gusht 2024. Pyeteni Hekuran Muratin se çfarë lajmi është ky për Kosovën”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Ajo theksoi se realiteti ekonomik i qytetarëve nuk përputhet me shifrat që prezanton qeveria, duke nënvizuar se rritja e inflacionit ndikon drejtpërdrejt në jetesën e përditshme të qytetarëve.
ASK: Ekonomia e Kosovës u rrit me 4.58% në TM2 të këtij viti