Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka arritur të realizojë siç thotë ajo “vetëm një gjë – Zajednicën”.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka thënë se parim e kishin ardhjen në pushtet, e tash “mashtrojnë me Zajednicë, injorojnë minatorët manipulojnë me shifra”.
”E kam sakrifiku veten për parime”, tha kryeministri. Çfarë ironie d.m.th. Albin Kurti gjithmonë ka qenë i ndarë nga parimet e tij. Zaten ne të gjithë e dimë që s’ke pasë parime asnjëherë. E vërteta qëndron krejt ndryshe. Albin Kurti i ka sakrifiku të tjerët për parimet që nuk i ka pas kurrë. Ka sakrifiku aktivistë të LVV-së, ka shpallë tradhtarë, ka mashtru 51% të votuesve në zgjedhjet e fundit. Ia ka humbur Kosovës disa vite dhe është kthyer jo në pikën zero, por diku nën të, në minus. Minatorët janë në grevë urie që disa ditë, disa prej tyre tanimë në spital për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore dhe a e keni dëgju Kryeministrin të thotë një fjalë për ata? Ministrin e Ekonomisë – JO”, shkruan Bajrami.
Ajo supozon se po të ishte Kurti në opozitë, do t’i ishte bashkangjitur grevës, kurse tashmë që gjendet në pushtet, sipas saj, kreu i ekzekutivit është kundër sindikatave.
“Të gjithë ne e dimë se sikur Albini të ishte në opozitë gjasat janë maksimale se ai do të ishte bashkangjitur grevës së minatorëve që disa ditë. Tani në pushtet “të majtit” janë kundër sindikatave, kundër punëtorëve të arsimit, kundër minatorëve dhe me politika populliste kundër qytetarëve të vendit. Që po thuajse tri vjet në pushtet LVV ka arritur të realizojë të vetmin gjë që ka thanë nuk do ta bëjë kurrë ”ZAJEDNICËN”. Hekuran Muratit për çudi i rritet punësimi kur i bie rritja ekonomike në 2.02% dhe kur i bien eksportet -10%, Ministri i Financave tha se për herë të parë 410 mijë të punësuar, që nga 1999 trendi është pozitiv por më i ngadalti në tri vitet e fundit”, shton ajo.
Bajrami thekson se nga rreth 900 milionë të ndara për investime kapitale për vitin 2023, deri më 30 shtator janë realizuar vetëm 263 milionë.
“Super Ministri rreth 40 milionë euro mjete vetanake të komunave i ka mbajtur të bllokuara deri në muajin gusht. Subvencionet po ju shkojnë mirë, pa asnjë kriter në baza ditore po ndajnë mjete. Kujt dhe si, sigurisht se do të dalin në sipërfaqe pak më vonë. Transparenca a ka qenë ndonjëherë parim i juaji, çka ndodhi pse po frikësoheni t’i njoftoni qytetarët për “sakrificat” që keni bërë ditëve të fundit, po Rezolutën që e patëm nxjerrë bashkë kur ishit në opozitë për raportim në Kuvend?!”.