Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se LDK nuk do ta votojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit të Kosovës, as në rast të një procesi të ri zgjedhor.
“Sot në Kosovë flasim për një emër të vetëm, Albulena Haxhiun. Qytetarët, veçanërisht ata që e kanë votuar Vetëvendosjen, duhet ta dinë se po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja vetëm për shkak të saj. Nuk po shkojmë në zgjedhje sepse partitë nuk po pajtohen për inflacionin, arsimin, papunësinë apo energjinë, por sepse partia që fitoi zgjedhjet ka një problem të vetëm: Albulena Haxhiun”, ak deklaruar Bajrami pas dështimit të seancës.
Ajo ka shtuar se Vetëvendosje po kërkon përsëritje të zgjedhjeve vetëm për ta zgjedhur Haxhiun kryeparlamentare.
“Me votat e LDK-së, ajo nuk do të bëhet kryetare e Kuvendit, as pas një procesi të ri zgjedhor”, ka deklaruar ajo.
Bajrami e cilësoi si anti-kushtetuese dhe arbitrare tentimin për ta kthyer votimin në fshehtë, por sqaroi se LDK nuk do ta çojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, pasi ndryshimi nuk u miratua.