Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se kryetari Dimal Basha ka zhvilluar një takim me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, si dhe për rëndësinë e funksionimit të një legjislature efektive në kuadër të realizimit të politikave integruese drejt Bashkimit Evropian.
Kryeparlamentari Basha ka falënderuar përfaqësuesin e BE-së për mbështetjen e vazhdueshme që Unioni i ka dhënë Kosovës ndër vite dhe ka theksuar nevojën për largimin e masave ndaj vendit, si dhe praninë e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai ka vlerësuar se kjo do të ishte një garanci shtesë për avancimin e lirive dhe të drejtave të njeriut për qytetarët e vendit.
Nga ana e tij, Orav e ka uruar Bashën për marrjen e detyrës si kryetar i Kuvendit, duke nënvizuar rëndësinë e funksionalizimit të institucioneve dhe gatishmërinë e BE-së për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Kosovën, në rrugën e saj drejt integrimit evropian.