Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar të hënën një aksion kontrolli në objektin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe në shtëpinë e kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie.
Veprimet janë ndërmarrë me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Hetuesit nga Drejtoria për Krime Ekonomike kanë sekuestruar dokumente dhe prova materiale, të cilat do të shërbejnë si dëshmi relevante në procedurat e mëtejme hetimore.
Sipas Prokurorisë Speciale, hetimet po zhvillohen për shkak të dyshimeve për disa vepra penale, përfshirë, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, falsifikim i dokumentit zyrtar, shmangie nga pagesa e tarifave doganore ose akcizore, konflikt interesi, keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike kanë kryer urdhër kontrollin në kuadër të hetimeve që në koordinim me Prokurorinë Speciale, janë duke u ndërmarrë për të gjitha dyshimet që janë objekt i hetimit penal. Gjatë operacionit policor janë sekuesturuar prova materiale ( dokumente ) të cilat do të shërbejnë si prova relevante për rastin. Hetimet po zhvillohen për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; Falsifikimi i dokumentit zyrtar; Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore; Konflikt i interesit dhe Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurorim publik”, thuhet në njoftim.
Institucionet kompetente kanë bërë të ditur se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.