Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj qeverisë aktuale të Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar si qeverinë më anti-Marrëveshjes së Ohrit, më anti-integrimit evropian dhe më të varur nga “diktati i botës serbe” që ka udhëhequr ndonjëherë vendin.
Në kumtesën e BDI-së thuhet se deklaratat e përfaqësuesve të qeverisë kundër Marrëveshjes së Ohrit tashmë janë shndërruar në praktikë. Partia ka kritikuar ashpër idenë e shfuqizimit të shumicës së Badenterit, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat themelore të rendit kushtetues.
Sipas tyre, promovimi i ideve që shtetet multietnike nuk janë funksionale dhe mbështetja e shteteve të pastra etnike përbëjnë rrezik të madh për marrëdhëniet ndëretnike.
BDI akuzon qeverinë se ka ndërmarrë veprime të shumta që bien ndesh me Marrëveshjen e Ohrit, duke përmendur anulimin e Balancuesit, mosrespektimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimit të drejtë, si dhe iniciativën për të shfuqizuar ligjin për gjuhët. Sipas tyre, mbi 100 institucione shtetërore ende funksionojnë vetëm në një gjuhë.
Po ashtu, BDI e ka akuzuar qeverinë se ka ulur padrejtësisht numrin e këshilltarëve nëpër komuna, duke cenuar përfaqësimin e shqiptarëve, si dhe ka kufizuar përdorimin e flamurit kombëtar nga zyrtarët shtetërorë.
“Nga mosrespektimi i vullnetit politik të shqiptarëve, te gjuha shqipe dhe mekanizmi i përfaqësimit të drejtë, çdo hap i kësaj qeverie është sulm ndaj Marrëveshjes së Ohrit”, thuhet në reagimin e BDI-së.