BE-ja i kërkon Qeverisë së re në Mal të Zi t’i përmbushë reformat për anëtarësim

Në zgjedhjet e fundit, partitë pro-ruse dhe pro-serbe kanë fituar pushtetin, por BE-ja ka shprehur shqetësim se kjo mund të ndikojë në politikën e jashtme të Malit të Zi. BE-ja është shqetësuar që ndryshimet në pushtet mund të çojnë në ndryshime të qëndrimeve të vendit në lidhje me anëtarësimin në BE

Flamuj të Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian në Bruksel, 20 gusht 2022.

Bashkimi Evropian (BE) e ka mirëpritur formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi të martën, por i ka bërë thirrje asaj të angazhohet menjëherë për t’i përmbushur sa më shpejt reformat e nevojshme për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit në BE.

Të martën në mëngjes, Kuvendi i Malit të Zi e zgjodhi Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq pas një seance plenare që zgjati tërë natën.

“Po ashtu, presim nga Mali i Zi që ta mbajë rekordin e pathyeshëm të përshtatjes me BE-në në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë“, tha BE-ja në një komunikatë për media të martën.

Mali i Zi i ka mbështetur plotësisht qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe sigurisë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë.

Por, ka pasur druajtje se ardhja në pushtet e partive proruse dhe proserbe, mund ta vënë në pikëpyetje këtë.

Dhe pikërisht votimi i Qeverisë së re u mundësua pasi aleanca proserbe dhe proruse për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit.

Prandaj, BE-ja bëri thirrje që Mali i Zi të mos e ndryshojë politikën e jashtme si një vend që synon anëtarësimin në bllok.

“Ne ftojmë aktorët politikë në Mal të Zi që të përqendrohen në veprimet me prioritet që kërkohen për të avancuar rrugëtimin e Malit të Zi drejt BE-së, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, t’i përmbushë kriteret kalimtare në kapitujt 23 dhe 24, sidomos në emërimet e gjykatësve dhe në reformat që tashmë janë vonuar“, tha BE-ja.

Mandiq, i cili u zgjodh dje kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik proserb dhe prorus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.

Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiq ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.

Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, shkruan REL.

Ai ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.

Ndaj emërimit të tij protestuan mijëra njerëz pranë ndërtesës së Kuvendit të Malit të Zi në Podgoricë të hënën vonë.

Shija e redaktorit

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit...

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe të shtunën, më 21 qershor 2025, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet në...

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Të fundit nga rubrika