BE-ja nis sistemin e ri biometrik të hyrje-daljeve: Paralajmërohen vonesa në aeroporte dhe pika kufitare

Aeroportet dhe pikat kufitare në Evropë po përgatiten për mbingarkesë të mundshme këtë të dielë, kur do të nisë zbatimi i sistemit të ri të sigurisë që regjistron gjurmët e gishtërinjve dhe fotografitë biometrike të udhëtarëve që hyjnë ose dalin nga Bashkimi Europian. Sistemi i ri, i quajtur Entry-Exit System (EES), do të implementohet gradualisht gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Zbatimi fillon në Gjermani

Gjermania do të jetë ndër vendet e para që e zbatojnë këtë sistem, duke filluar të dielën në aeroportin e Düsseldorfit, e më pas në Frankfurt dhe Munich, ndërsa në një fazë të mëvonshme edhe në portet detare dhe pikat e tjera kufitare.
Autoritetet kanë instaluar pajisje të reja që mundësojnë kontrollin automatik të të dhënave të pasagjerëve, për të verifikuar statusin e emigracionit dhe për të identifikuar personat që qëndrojnë më gjatë se lejohet në territorin e BE-së.

“Ne do të dimë kush hyn në BE, kur dhe ku. Ky është një shtyllë dixhitale e qasjes sonë të re ndaj menaxhimit të kufijve,” deklaroi komisioneri i BE-së për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner.

Sistemi do të zëvendësojë vulosjen e pasaportave

Sipas planit, sistemi do të bëhet plotësisht funksional më 10 prill 2026, duke zëvendësuar vulosjen manuale të pasaportave. Brunner theksoi se një periudhë e tillë implementimi është e nevojshme për t’u mundësuar shteteve dhe udhëtarëve që të përshtaten:
“Zbatimi i një sistemi IT të këtij dimensioni në 27 shtete anëtare është një proces kompleks, ndaj periudha gjashtëmujore do të ndihmojë në përshtatjen graduale të të gjithëve.”

Mbretëria e Bashkuar paralajmëron radhë të gjata

Ndërkohë, autoritetet britanike paralajmërojnë se gjatë verës së ardhshme, sidomos në periudhën e pushimeve shkollore, udhëtarët mund të përballen me vonesa të gjata në kalimin drejt BE-së.
Për të shmangur bllokimet e trafikut, Departamenti britanik i Transportit ka përgatitur dy hapësira të mëdha në Kent, që do të shërbejnë si zona pritjeje për automjetet në pritje për Eurotunnel ose portin e Dover-it.

Ministri britanik për Sigurinë Kufitare dhe Azilin, Alex Norris, tha se kontrollet e reja përbëjnë “një ndryshim të rëndësishëm për udhëtarët britanikë, ndaj kemi punuar ngushtë me partnerët evropianë për një zbatim sa më të qetë.”
Qeveria britanike ka ndarë 10.5 milionë paund për të ndihmuar portet dhe operatorët në procesin e tranzicionit.

Reagime nga operatorët dhe aeroportet

Drejtori i lartë i Eurostar, Simon Lejeune, përshëndeti “zbatimin e shkallëzuar të sistemit EES”, duke theksuar se kjo qasje “do të ndihmojë në funksionimin më të qetë dhe do t’u lejojë udhëtarëve të mësohen gradualisht me procedurat e reja.”

Nga ana tjetër, Shoqata ACI Europe, që përfaqëson aeroportet evropiane, theksoi se “menaxhimi i pikave kufitare është përgjegjësi e shteteve anëtare të BE-së, jo i operatorëve të aeroporteve.”

Zbatimi në shtetet e tjera

Sistemi do të përfshijë 29 vendet e zonës Shengen, përfshirë Zvicrën, Islandën, Norvegjinë dhe Lihtenshtajnin. Ai nuk do të aplikohet për personat që mbajnë leje qëndrimi ose viza afatgjata të BE-së.
Fillimisht, secili vend do ta zbatojë në pika të kufizuara ose për kategori të caktuara udhëtarësh.
Në Holandë, sistemi do të nisë në portet IJmuiden dhe Eemshaven, ndërsa në aeroportin Schiphol të Amsterdamit do të fillojë më 3 nëntor.

Sipas operatorit Eurotunnel, ndryshe nga kontrollet aktuale që kryhen brenda automjeteve, sistemi i ri kërkon që udhëtarët të dalin nga makina për të dhënë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografinë, një proces që mund të zgjasë rreth dy minuta për person.

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika